Diplomati Albert Prenkaj, dhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi diskutuan këtë të martë në emisionin “Ballkan Update” për përvjetorin e Pavarësisë dhe se çfarë duhet bërë për të qenë më të bashkuar. Diplomati tha se në këtë kohë, duhet të krijohet një strategji e përbashkët ‘paqja shqiptare’.
“Që të bashkohen në një strategji të përbashkët paqja shqiptare, e cila do të përballej me një strategji tjetër, bota serbe. Për të balancuar rajonin, shqiptarëve iu duhet të bashkohen rreth kësaj strategjie, duhet një koordinim mes Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe një përbashkim për t’i mbrojtur interesat e shqiptarëve që nuk janë më këto dy shtete me shumicë shqiptare por edhe jashtë si lugina e Preshevës, një nevoje imediate të luftohet për të drejtat politike dhe të njeriut atje që të kemi një përfaqësim dinjitoz por edhe në vende të tjera rreth e përqark Kosovës dhe Shqipërisë.“, u shpreh Prenkaj.
Duke komentuar deklaratën e stërnipit të Isa Boletinit se “interesat na ndajnë por flamuri na bashkon”, Arifi theksoi se pret më shumë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare.
“Konteksti ka ndryshuar shumë në 100 vitet e fundit, demokracia, filozofitë e ndryshme politike dhe qasjet janë të ndryshme në trojet shqiptare dhe është më e vështirë të bëjmë atë që kanë bërë në 1912 dhe për ne është një sfidë gjithandej. Jam autokritik sepse ndaj Serbisë nuk po arrij aq shumë për me përmirësuar jetën në Luginën e Preshevës. Edhe pse është bombarduar ende sot nuk kemi një Serbi të reformuar në të qasurit. Pres më shumë prej Prishtinës dhe prej Tiranës. Nuk është se nuk kam shpresë, e kemi obligim me iu dhënë shpresë fëmijëve por duhet me gjet formën, të gjithë duhet me lëshuar pe.”, theksoi Arifi.
I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku se çfarë duhet të bëjmë që të jemi bashkë, Prenkaj tha:
“Kam konstatuar se bëhet fjalë për një dualizëm kolektiv që është si rezultat i një historie të vështirë dhe gjeografike mes shqiptarëve të… dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, demokratizimit të Shqipërisë dhe rrugëtimit të saj në BE dhe me një shpresë që edhe Kosova me rajonin të ketë një të ardhme të bashkësisë evropiane ku Brukseli të jetë qendra e të gjithë shqiptarëve. Flamuri kombëtar duhet të jetë udhërrëfyes drejt këtij rrugëtimi të shqiptarëve të rajonit. Pra shqiptarët duhet të projektojnë vetëm në bashkësinë evropiane si të bashkuar me një kryeqytet të përbashkët që është Brukseli.”, shtoi Prenkaj./abcnews.al