Kualiteti dhe potenciali i Kylian Mbappe është i jashtëzakonshëm. Ylli i PSG-së është vetëm 20 vjeç dhe ka kohë për t’u përmirësuar edhe më shumë. Kampioni i Botës është një ëndërr e shumë klubeve të mëdha, sidomos e Realit të Madridit.
Kontrata me kampionët e Francës përfundon verën e vitit 2022 dhe PSG nuk e imagjinon dot largimin e tij. Për ta bindur që të vijojë sërish për shumë vite në kryeqytetin francez, drejtuesit e klubit kanë gati një ofertë faraonike për të.
El Chiringuito raporton se sulmuesin e pret një rinovim i çmendur me një rrogë prej 50 milionë eurosh në sezon! Mbappe përfiton për momentin 20.7 milionë dhe me rrogën e re do ia kalojë edhe brazilianit Neymar.
Ky i fundit fiton 36.8 milionë euro në vit, ndërsa francezi pritet t’i marrë rolin e liderit në ekip. Gjithmonë nëse pranon dhe vendos të zgjasë bashkëpunimin me ekipin aktual. /abcnews.al