SHBA, Trump kritikon FBI

schedule19:57 - 26 Dhjetor, 2017

schedule 19:57 - 26 Dhjetor, 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar ashpër FBI dhe hetimet kundër tij për lidhjet me Rusinë dhe ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, dosieri në të cilin janë bazuar hetimet, është financuar nga Demokratët.

Pas një dite të qetë për Krishtlindje, presidenti amerikan Donald Trump është rikthyer përsëri në punë, natyrisht me anë të tuiterit. Kreu i Shtëpisë së Bardhë kritikoi FBI dhe pretendon se dosja tashmë e famshme që përmban pretendime rreth lidhjeve të tij me Rusinë dhe koordinimi i mundshëm mes fushatës së tij dhe Kremlinit gjatë zgjedhjeve të vitit 2016 është një “grumbull mbeturinash”. Trump, i cili po kalon pushimet e fundvitit në pronën e tij private në “Mar-a-Lago”, citon emisionin televiziv kabllor “Fox & Friends”, në mesazhet e tij.
“Dosja është false. Ekipi i fushatës së klinton dhe Komiteti Kombëtar Demokrat financuan dosierin. FBI NUK MUNDET (pas gjithë kësaj kohe) TE VERIFIKOJË PRETENDIMET NË DOSJEN E RUSISË/ DHE LIDHJET ME TRUMP. FBI e njollosur. Dhe ata kanë përdorur këtë grumbull mbeturinash të Hilarisë si bazë për të hetuar fushatën Trump!”, shkruan presidenti amerikan në tuiter.

Ekipi i fushatës së Hilari Klinton dhe Komiteti Kombëtar Demokratik ndihmuan në financimin e dosjes, e cila u botua fillimisht nga BuzzFeed në janar. Zyrtarët kanë thënë se disa nga informacionet që ai përmban janë konfirmuar, por pjesët e tjera – duke përfshirë edhe pretendimet më të ulëta rreth sjelljes së Trump – mbeten të paverifikuara. Trump dhe udhëheqësit republikanë në Kongres po rrisin kritikën e tyre ndaj FBI, në një përpjekje të dukshme për të diskredituar prokurorin e posaçëm Robert Mëller dhe hetimin e tij mbi lidhjet ndërmjet ekipit të fushatës së Trump dhe Kremlinit. Në prag të Krishtlindjeve, presidenti amerikan sulmoi zëvendës drejtorin e FBI-së Andruj MekKejb, i cili planifikon të dalë në pension mes kritikave në rritje nga republikanët.

Ndërkohë, më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë iu rikthye premtimit të tij të vjetër për rrëzimin e reformës shëndetësore të njohur si “Obamacare”. “Demokratët dhe Republikanët do të punojnë sëbashku për të zhvilluar një plan të ri për Përkujdesjen Shëndetësore”, shkruan ai në Tuiter. Gjatë 2017-s republikanët me urdhër të Trump tentuan disa herë që të shfuqizonin “Oabamacare”, por pa ia arritur qëllimit./abcnews.al

Gazetar i ABC News: Xhevahir Qardaku

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!