Reshjet e borës kanë zbardhur rrugët e Kosovës mëngjesin e së shtunës. Bora e parë në viset e rrafshëta ka nis në orët e para të së shtunës, ku në disa zona dëbora ka arritur 10 centimetra.
Edhe pse autostradat kryesore aktualisht janë të aksesueshme, qytetaret u përballet me trafik të rënduar. Bora ka vështirësuar qarkullimin në aksin Prishtine-Pejë, ku në disa raste mjetet kanë përfunduar jashtë rrugës.
Në Fushë Kosovë dhe në Prishtinë, rrugët kryesore ishin të pastruara por jo edhe ato dytësore. Në fshatin Vragoli, në drejtim të Pejës, janë krijuar kolona të gjata për shkak të bllokimit të disa kamionëve në rrugë.
Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar ka njoftuar se pavarësisht borës që ka rënë, të gjitha rrugët në pikat kufitare janë të kalueshme. Sipas të dhënave të publikuar nga kjo qendër, autostradat që të çojnë drejt kufijve, janë të kalueshme, nuk raportohet për borë, akull, mjegull apo rrëshqitje dheu.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se për të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius.