Inkriminimi, dëshmon ish-këshilltarja e Trump për Rusinë

schedule21:46 - 14 Tetor, 2019

schedule 21:46 - 14 Tetor, 2019

Një prej komisioneve parlamentare që ka nisur proçedurat e inkriminimit të Donald Trump ka thirrur për të dëshmuar ish-këshilltaren e presidentit për Rusinë. Ish-anëtarja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Fiona Hill është përgjigjur përpara komisionit në lidhje me të ashtuquajturin “Ukraina-gejt”.

Ish-këshilltarja e presidentit Donald Trump për Rusinë dëshmoi të hënën në një seancë me dyer të mbyllura në komisionin e Kongresit që po udhëheq procedurat e inkriminimit e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Dëshmia e Fiona Hill lidhet me kërkesën tashmë të njohur që Trump i bëri palës ukrainase për të hetuar një rival politik të brendshëm.

Hill, ish-drejtoreshë për Çështjet Europiane dhe Ruse pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump u thirr konkretisht nga komisioni për shërbimet e inteligjencës. Shkarkimi në muajin maj i Meri Jovanoviç si ambasadore amerikane në Ukrainë mund të ketë qenë pjesë e dëshmisë së Fiona Hill.

Të premten, vetë Jovanoviç dëshmoi duke thënë se ishte shkarkuar bazuar në deklarata të pabaza dhe të rreme pasi ishte sulmuar nga avokati personal i Trump, Rudi Xhulliani, i cili ishte angazhuar personalisht për të bindur prokurorët ukrainas që të hetonin ish-zëvendës presidentin Xho Bajden, sfidanti kryesor i kreut të shtetit në zgjedhjet e 2020-s.

Hetimet janë fokusuar konkretisht në telefonatën e 25 korrikut, në të cilën Trump i kërkonte homologut ukrainas Volodimir Zelenski që përveç se Bajden të hetonte dhe djalin e tij Hanter, që kishte qenë drejtues i një kompanie energjitike në Ukrainë. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!