Më në fund buzëqesh edhe tekniku Simone Inzaghi. Një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të Interit, turku Hakan Calhanoglu nuk do të angazhohet në asnjë prej ndeshjeve me përfaqësuesen e Turqisë.
Mesfushori është kthyer në Milano me lejen e stafit teknik për dy arsye dhe gjasat janë që të mos rikthehet më në grumbullimin e Turqisë së teknikut Vincenzo Montella, por të vijojë përgatitjet nën urdhrat e italianit të “zikaltërve”.
“Fantazisti” turk shfaqi një problem të gripal ditën e parë të grumbullimit, ndërsa këtë të enjte mori lejen për t’u larguar pasi bashkëshortja e tij është “pritje të ëmbël” dhe është shumë pranë lindjes.
Lajmin për largimin e Calhanoglu nga grumbullimi e dha vetë Federata Turke e Futbollit, që theksoi se kapiteni është larguar me lejen e teknikut. Turqia do të luajë fillimisht ndaj Gjermanisë në miqësore, më18 nëntor e më pas në përballjen e fundit të kualifikueseve me Uellsin, më 21 nëntor, mirëpo turqit e kanë siguruar tashmë kualifikimin në Evropian, si krerët e grupit dhe nuk do të ketë të domosdoshme praninë e kapitenit.