Alarmi i kuq është lëshuar pothuajse në 3,000 qytete në të gjithë Brazilin, të cilat kanë përjetuar një valë të paprecedentë të të nxehtit. Rekordet janë thyer në disa zona duke përfshirë qytetin Rio de Janeiro, ku temperaturat kanë shkuar në 52.5C.
Më shumë se 100 milionë njerëz janë prekur nga i nxehti, i cili pritet të zgjasë të paktën deri të premten. Zyrtarët ia atribuojnë dukurinë fenomenit El Niño dhe ndryshimeve klimatike.
Qyteti i Sao Paulos shënoi temperatura mesatare prej 37.3C të marten. Vala e të nxehtit, e cila vjen më shumë se një muaj para fillimit të verës në hemisferën jugore, ka bërë që konsumi i energjisë në Brazil të rritet në nivele rekord ndërsa njerëzit përpiqen të qëndrojnë të hidratuar.
Hulumtimi i Inmet i publikuar javën e kaluar tregoi se temperatura mesatare në vend kishte qenë mbi mesataren historike nga korriku deri në tetor. Moti ekstrem po bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në shumë vende të botës për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas shkencëtarëve, valët e të nxehtit po bëhen më të gjata dhe më intensive në shumë vende dhe kjo pritet të vazhdojë ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të lëshojnë gazra serë që ngrohin planetin.
Ndërkohë, Toka është aktualisht në “pushtimin” e El Niño, periudhë gjatë së cilës temperaturat globale zakonisht rriten.
/abcnews.al