Buxheti 2024, zv.ministrja Guga: Rritje rroge historike për arsimtarët. Financim edhe për infrastrukturën e shkollave

schedule17:42 - 14 Nëntor, 2023

schedule 17:42 - 14 Nëntor, 2023

Zëvendësministrja e Arsimit, Nina Guga thotë se me buxhetin e vitit 2024, të gjithë punonjësit e arsimit do të kenë një rritje rroge historike.

Në një intervistë për ABC News, Guga u shpreh se mbështetjen më të madhe nga ky buxhet e merr sistemi parauniversitar.

Guga shtoi se rritje do të ketë edhe për punonjësit psiko-social, mësuesit ndihmës dhe oficerët e sigurisë.

Financim do të ketë edhe për infrastrukturën e shkollave.

“Tashmë Ministria e Arsimit dhe Sportit ka prezantuar buxhetin për vitin 2024, buxhet i cili synon të arrijë objektivat tona kryesore për një sistem arsimor dhe gjithëpërfshirës, duke pasur në radhë të parë mirëqënien sociale të nxënësve, por edhe stafit që kemi në shkolla. Ky projektbuxhet ka një rritje prej 10.7% nga viti i kaluar. Mbështetjen më të madhe të këtj buxheti e merr arsimi parauniversitar. Ky buxhet që i akordohet sistemit parauniversitar, ka vlerën e 69% të buxhetit. Në këtë buxhet është parashikuar një rritje historike e pagës për 30 mijë punonjës arsimtarë, që nuk do të jenë vetëm mësuesit në sistemin parauniversitar, por do të jenë punonjësit psiko-social, do të jenë mësusit ndihmës, oficerët e sigurisë. Do të kenë pagë të shtuar. Rritja do të bëhet me një studim sipas të gjitha kritereve që mësuesit kanë në sistem.

Kemi në sistem 231 mijë fëmijë, që vijojnë nga klasa e parë në klasën e nëntë me libra falas, dhe 16-18 kategori të tjera, të cilat janë në sistemin e mesëm dhe të lartë, të cilët përfitojnë librat falas. Do të kemi një buxhet të shtuar për këto kategori të nxënësve, por edhe për 3600 nxënës të arsimit parauniversitar që vijnë nga shtresat sociale, të cilëve do t’u akordohen bursa të veçanta. Sa i përket transportit, buxheti ka parashikuar për 38 mijë nxënës që e kanë vendbanimin 2 km larg nga shkolla dhe për transportin e 12 mijë mësuesve që e kanë vendbanimin 5 km larg, buxheti shkon në 13 milionë euro.

Për vitin 2024 është parashikuar një buxhet për infrastrukturën shkollore dhe atë sportive, si dhe mobilimin e institucioneve arsimore, të rikonstruktuara apo të ndërtuara të reja. Përfshihen përmbyllja e 30 objekteve shkollore dhe sportive të financuara, financimin dhe ndërtimin e 9 shkollave të sistemit parauniversitar në Bashkinë e Tiranës, financimin e projekteve të reja të infrastrukturës shkollore dhe asaj sportive, si dhe mobilimin e shkollave të rikonstruktuara. Një zë të veçantë do të zënë edhe mobilimi dhe pajisja e shkollave me laboratorë shkencorë”, theksoi ajo./abcnews.al