Kreshnik Hajdari ishte 17 vjec kur kaloi malit kufirin për në Greqi. Për këtë hyrje të paligjshme në territorin helen, ai u dënua me 4 muaj burg.
Kjo është historia e mijëra emigrantëve të tjerë shqiptarë, por rasti në fjalë u bë pjesë e betejës politike, sepse jeta e Kreshnik Hajdarit ndryshoi shpejt, dhe ai u bë kryetar i bashkisë së Kucovës.
Në 14 maj fitoi një mandat të dytë përballë Lefter Maliqit, humbje e cila e bëri Partinë e Ilir Metës të gërmojë në të shkuarën e kryebashkiakut të Kucovës dhe të zbulojë këtë dënim të padeklaruar, i cili u konfirmua edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, sektori i dekriminalizimit.
Vetë Hajdari i pranishëm në seancën vendimtare të KQZ-së, nuk tha asnjë fjalë, por u mbrojt përmes avokatit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ja ndërpreu mandatin, duke argumentuar se ligji i dekriminalizimit ka pasur qëllim të penalizojë kriminelët, dhe jo raste si ky.
Kreshnik Hajdari është duke ushtruar momentalisht mandatin e tij të dytë në krye të bashkisë së Kucovës./abcnews.al