Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla thotë se sulmi i Hamasit në territorin izraelit ndodhi në një kohë kur SHBA-të dhe Irani ishin afër një marrëveshje për çështjet bërthamore. I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” në ABC News, Kulla theksoi se njëri nga vendet arabe kanë dashur të prishin këtë marrëveshje.
“Kam thënë që nuk është i përfshirë Irani, dhe kjo ngjarje ndodhi kur kishte përpjekje të mëdha për një marrëveshje politike pikërisht për çështjet bërthamore mes SHBA dhe Iranit. Ngjarjet e Hamasit dhe Izraelit e larguan mundësinë për një marrëveshje Iran-SHBA. Para se të kishte një marrëveshje të tillë, Kina bëri një marrëveshje me sauditët dhe me Iranin. Dikush nga vendet arabe ka dashur të prishë mundësinë e një marrëveshje SHBA-Iran. Të gjitha këto fuqi janë të gjitha fuqi nafte, energjetike dhe gazi.
Izraeli do të ekzistojë sepse ka njerëz që duan të jetojnë aty por që ka edhe aleatët. Turqia nuk mund të përzihet në luftë sepse nuk ka lidhje tokësore. Nuk e lë Siria që të futet brenda. Kam thënë se do të shohësh se kufiri më i qetë i Izraelit këto kohë është ai me Sirinë dhe kështu ka ndodhur. Kam thënë që Rusia në fakt do të dojë të mbrojë Izraelin sepse është gjithashtu një aktor në këtë territor.”, theksoi Kulla./abcnews.al