Mbi 165.000 afganë largohen nga Pakistani

schedule10:03 - 2 Nëntor, 2023

schedule 10:03 - 2 Nëntor, 2023

Mbi 165.000 afganë janë larguar nga Pakistani gjatë këtij muaji, që kur Islamabadi lëshoi një ultimatum për 1.7 milion persona që të largohen ose do të përballen me arrestim apo dëbim, thanë zyrtarët më 2 nëntor.

Shumica janë larguar ditëve të fundit, pasi afati i fundit ishte më 1 nëntor dhe policia nisi të hapte dhjetëra qendra të ndalimit për të dërguar afganët e arrestuar.

Zyrtarët në pikën kufitare Torkam në provincën Kiber Paktunkva, punuan në orët e mëngjesit të së enjtes në mënyrë që të kalonin makinat me 28.000 persona. Kolona e makinave ishte e gjatë për shtatë kilometra.

Autoritetet në Pakistan kanë inkurajuar afganët që nuk kanë dokumente të qëndrimit që të largohen në mënyrë vullnetare, përderisa policia ka nisur operacionet e kërkimit.

“Afganët ilegalë kanë arritur në Torkam dhe numri ka qenë i madh për shkak të afatit. Njerëzit edhe sot po largohen në mënyrë vullnetare”, tha për AFP-në, zëvendëskomisionari i qarkut kufitar, Abdul Nasir Khan.

Nga provinca Kiber Paktunkva, sipas zyrtarëve, janë larguar 129.000 persona, ndërkaq nga Boliçistani janë larguar edhe 38.100 të tjerë.

Miliona afganë ishin larguar për në Pakistan dekadave të fundit për shkak të dhunës në shtetin e tyre. Vlerësohet se 600.000 afganë janë larguar që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021 dhe vendosën kufizime të ashpra.

Pakistani tha se dëbimi i afganëve po bëhej për të mbrojtur “sigurinë” e shtetit, pasi së fundi janë rritur ndjeshëm sulmet, për të cilat Qeveria pakistaneze ka fajësuar militantët që operojnë nga Afganistani.

Ambasada afgane në Islamabad tha se ky vendim do të dëmtojë edhe më tej raportet mes dy shteteve fqinje.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Qeverinë pakistaneze se po përdor kërcënimet, abuzimet dhe ndalimet për të detyruar azilkërkuesit afganë që të largohen, përderisa grupet kanë raportuar se javëve të fundit ka pasur arrestime arbitrare të afganëve./REL

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!