Akademitë e Shkencave në Shqipëri dhe Kosovë kundërshtojnë Çmimin Nobel

schedule16:01 - 11 Tetor, 2019

schedule 16:01 - 11 Tetor, 2019

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës kundërshtojnë ashpër vendimin për dhënien e Çmimit Nobel për letërsi, ithtarit të Sllobodan Millosheviç, Peter Handke. Sipas këtyre institucioneve, është absurde që një akademi që promovon paqen, të vlerësojë me Nobel dikë që nxit urrejtjen. 

Zyrtarisht dy krerët e Akademive  të Shkencave, Skënder Gjinushi i Shqipërisë dhe Kryetari i sapozgjedhur i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, i kanë dërguar në emër të institucionit letër-protestë Akademisë Suedeze të Çmimit Nobel për laureatin e Çmimit Nobel për Letërsinë për vitin 2019 Peter Handke.

Anëtari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Shaban Sinani, shpreh zhgënjimin për vlerësimin   e ithtarit te Milosheviçit, Peter Handke pasi nderimi me çmimin më të rëndësishëm të letërsisë ka shkelur parimet e Akademisë së Nobelit, e cila jep edhe çmimin për paqen.

Akademia e Kosovës kërkon anulimin e vendimit  të Akademisë Suedeze për Peter Handke. Ideja se angazhimet dhe bindjet politike duhet ndarë nga vepra e një shkrimtari, nuk funksionon në rastin e Peter Handkes, sipas Sinanit.

Pas reagimeve të shumta në komunitetin e shkrimtarëve dhe nga politika shqiptare, shqiptarët kanë marr hapin e parë kundër këtij vendimi përmes një peticioni on-line./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!