I gjithë territori i Kurbinit përjetoi orë të vështira këtë të premte. Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë shkaktuan dëme dhe përmbytje në qytet dhe në fshatra. Drejtoria Arsimore pezulloi mësimin në të gjitha shkollat.
Këta fëmijë mbetën në mes të rrugës. Për t’i larguar nga uji u desh një zjarrfikëse. Një orë më vonë drejtoria e arsimit vendosi mbylljen e shkollave në Laç. Stuhia me reshje të dendura paralizoi qytetin.
Uji vërshoi nëpër banesa, biznese, dhe institucione. Vërshimet ishin të frikshme . Shumë makina u shkatërruan. Më herët pati bllokim të rrugëve. Laç- superstradë nuk u bë e qarkullueshme për orë të tëra.
Nënkalimi në Fushë Mamurras u mbush me ujë dhe makinat devijuan lëvizjen. Fusha të tëra u përmbyten. Dëme të mëdha u bënë tek prodhimet e fermerëve. Zona është e prekur nga përmbytjet për shkak të bllokimit të kanaleve dhe ndërtimeve pa kriter./ABC News Albania 24/7