Autori i sulmit të armatosur në qytetin Halle të Gjermanisë kishte në plan të kryente një masakër. Në këtë përfundim kanë arritur prokurorët federalë pas një ditë hetimesh intensive, gjatë të cilave gjetën edhe 4 kilogramë eksploziv në automjetin e agresorit.
Autori i vrasjes së dy personave dhe sulmit ndaj një sinagoge në qytetin Halle të Gjermanisë synonte të kryente një masakër dhe shpresonte që të tjerë të vepronin si ai pasi publikoi një video të bëmës së tij në një faqe interneti.
Lajmin e bëri të ditur të enjten një prokuror federal, pasi një helikopter i policisë transferoi të dyshuarin në gjykatën e drejtësisë në Karlsruhe. Ai ishte i veshur me të bardha, me duart e prangosura, me zinxhirë në kyçet e këmbës dhe një fasho në qafë, i shoqëruar nga forcat speciale të policisë.
Personi, i identifikuar si Stefan B., e kishte kopjuar sulmin e së mërkurës nga ai i ndodhur më herët gjatë vitit ndaj xhamive në kryeqytetin e Zelandës së Re, ku mbetën të vrarë 51 persona.
“Ai synonte të vriste sa më shumë njerëz të ishte e mundur në sinagogë dhe në rrugët e qytetit Halle”, deklaroi prokurori.
Disa dhjetëra persona ishin të pranishëm në sinagogë në momentin kur agresori u përpoq të hynte me forcë, por pa ia arritur qëllimit.
“Ajo që përjetuam ditën e mërkurën ishte terrorizëm. Sipas të dhënave të mbledhura, i dyshuari kishte në plan të kryente një masakër”, deklaroi prokurori Peter Frank për gazetarët.
Sipas tij, autori i sulmit ishte i fiksuar nga ksenofobia anti-semite dhe racizmi.
“Ai ishte i armatosur me armë të shumta, disa prej të cilave artizanale dhe kishte një sasi të konsiderueshme ekzplozivi me vete”, shtoi prokurori.
Dhe në fakt, hetuesit gjetën 4 kilogramë eksploziv në makinën e tij.
Në një video të gjatë rreth 30 minuta, që agresori e kishte regjistruar me anë të një kamere të instaluar në helmetën e tij, ai dëgjohej teksa shante hebrenjtë dhe teksa mallkonte për dështimin për të hyrë në sinagogë, përpara se të qëllonte një grua që po kalonte rastësisht dhe një burrë në një fast fud arab që ndodhej aty pranë. Nga sulmi dy persona të tjerë mbetën të plagosur, por nuk janë në gjendje të rëndë./ABC News Albania