Magani: Kam besim te Reja, është një trajner që rrezikon

schedule23:25 - 10 Tetor, 2019

schedule 23:25 - 10 Tetor, 2019

Trajneri i Besës, Gugash Magani, ka folur për ndeshjen mes Turqisë dhe Shqipërisë. I ftuar në studiot e ABC News, në emisionin “Pressing”, tekniku i njohur tha:

SFIDA NDAJ TURQISË – “Ne jemi në një situatë të vështirë, për objektivat që kemi. Normalisht që është një sfidë gjithçka për gjithçka. Në Turqi, as një pikë nuk na bën punë. Turqia ka një moshë mesatare të madhe, por kjo gjë i ndihmon, pasi kanë eksperiencë”.

SKEMA – “Kemi luajtur me modul ndryshe me De Biasin. Panuçi e ka ndërruar shpesh modulin. Reja i qëndron besnik skemës së tij, me tre qendër mbrojtës. Me aq sa kam kuptuar, Reja mund të luajë me katër mbrojtës, por mendoj se do të jetë gabim. Kundër Francës, nuk kishim lojtarët e duhur, nuk i kishte fajet skema. Manaj dhe Cikalleshi janë lojtarë shumë të mirë. Kemi një grup të fortë dhe grupi nuk ka ndryshuar shumë. Normalisht, duhet të jemi me këmbë në tokë, pasi kur je me këmbë në tokë, ecën më mirë”.

PROBLEMET – “Çdo lojtar duhet të jetë krenar që vesh fanellën e kombëtares. Edhe nëse luan një minutë, duhet të ndihet i privilegjuar. Ka pasur probleme me lojtarët jo vetëm kur ishte Panuçi, por dhe me De Biasin. Kjo tregon se profesionalizmi te lojtarët tanë mungon. De Biasi luante mbrapa, por ka pasur lojtarë shumë të mirë në mesfushë. Kukeli, Xhaka, Abrashi. Kur mbrohesh, duhet të vraposh. Kemi luajtur kundër Portugalisë, 0-0. Morëm një pikë të rëndësishme, por ajo një herë ndodh. Panuçi ka luajtur me 4-3-3, është një skemë shumë e mirë. Pastaj varet te lojtarët. Panuçi ndërroi shumë lojtarë dhe ky është një problem i madh.

TRAJNERI – “Reja edhe nga mosha, imponon me shumë respekt nga lojtarët. Ai ka edhe eksperiencë t’i përballojë të gjitha, madje edhe presionin e shqiptarëve. Në moment kur i rrëshqet këmba trajnerit, edhe lojtarët e “mirë”, sepse nuk ka lojtarë të mirë, mundohen t’i kundërvihen trajnerit. Por Reja nuk ka asnjë problem të tillë, është natyra e tij”.

RISKU – “Manaj ska marrë shumë minuta me trajenrët e mëparshëm. Nuk ka qenë as në formë, patjetër. Edhe Bare po ashtu. Risku është prezent dhe një trajner që merr përsipër risk, ka përfitimet e veta. Tani, ndeshja nuk parashikohet. Edhe fjalët që themi ne, nuk janë absolute, se futbolli është relativ, me anë të situatave. Unë po them vetëm kaq: Nëse skuadra luan në grup dhe mundohet të luajë thjeshtë, merr rezultat. Kam besim te ky trajner, personalisht kam respekt për të dhe mendoj se do të shkojë mirë”./abcnews.al