Favorizime për ndërtime dhe legalizime të objekteve pa leje, si funksiononte skema e zyrtarëve urbanistikë në Sarandë

schedule10:10 - 27 Tetor, 2023

schedule 10:10 - 27 Tetor, 2023

Ariel Balani, zyrtari i  Drejtorisë së Urbanistikës së Bashkisë Sarandë u arrestua mbrëmjen e së enjtes, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Vetë SPAK, ka dhënë informacion zyrtar këtë të premte në lidhje me arrestimin, ku njoftohet se Balani ka konsumar veprën penale“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.

Balani, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit, në vitin 2021 për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit, dy personave të cilët kishin ndërtuar një objekt. Zyrtari u kishte kërkuar 12 mijë euro dhe fillimisht mori 6 mijë euro. Por paratë i ktheu, pasi marrëveshja nuk u realizua.

Ndërkaq, një inspektor i IKMT-së në Sarandë, i identifikuar si shtetasi J.P, në mars të vitit 2020, i ka kërkuar njërit prej dy personave të cilët do të bënin marrëveshjen me Balanin, shumën prej 7.500 eurosh, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil.

Inspektori mori 3000 euro dhe objekti u prish në vitin 2021. Për inspektorin, Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ka konsumuar veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal./abcnews.al