Ministri Hasani në Këshillin e Sigurimit: Të punojmë për një botë ku parandalohen konfliktet dhe arrihet paqja

schedule19:35 - 20 Tetor, 2023

schedule 19:35 - 20 Tetor, 2023

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit theksoi se sfidat aktuale gjeopolitike e bëjnë të domosdoshme bashkëpunimin mes OKB/KS dhe organizatave rajonale në ruajtjen e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare.

Sipas kryediplomatit shqiptar, organizatat rajonale dhe nën-rajonale mund të luajnë një rol kryesor për të siguruar që lojërat për pushtet të mos pengojnë realizimin e paqes.

“Duke shfrytëzuar potencialin e organizatave rajonale dhe nën-rajonale dhe duke u bashkuar në vendosmërinë tonë për të mbështetur vlerat e multilateralizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ne mund të përballemi me sfidat aktuale globale dhe të punojmë për një botë ku parandalohen konfliktet dhe arrihet paqja, duke siguruar një të ardhme më të ndritshme dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, u shpreh ai.

Ministri Hasani foli edhe për samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë, duke e cilësuar si një investim efikas që promovon bashkëpunimin, paqen dhe prosperitetin në rajon.

“Procesi i Berlinit shërben si një zgjidhje e favorshme për të gjithë, sepse arkitektura e Sigurisë Evropiane ka nevojë për një Evropë më të fortë dhe më të konsoliduar. Procesi i përshpejtuar i zgjerimit të BE-së dhe Procesi i Berlinit janë mekanizma plotësues për aderimin e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha ai.

Debati i hapur i nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB, me temë: “Paqja përmes dialogut: Kontributi i marrëveshjeve rajonale, nën-rajonale dhe dypalëshe, në parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve” u organizua nga Brazili, i cili mban aktualisht Presidencën e KS.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!