Në arrati pasi dyshohet si porositësi i 137 kilogramëve kokainë të kapura në portin e Durrësit Gentan Malinid ankimoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Avokati dhe babai i Gentian Malindit, Ilir Malindi i quan akuzat e tij si hakmarrje politike nga kryeministri, për shkak të përplasjeve ndër vite. Malindi i kërkon Donika Prelës të hetojë Ardi Veliun për “shpërdorim detyre”.
Biznesmeni Gentian Malindi që është në kërkim pasi dyshohet si pritësi i 137 kilogramëve kokainë që u bllokua në Portin e Durrës pak kohë më parë ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë. Malindi i kërkon Apelit të Krimeve të Rënda që t’i ndryshojnë masën e sigurisë nga arrest me burg në detyrim paraqitje.
Avokati dhe babi i Gentian Malindit, Ilir Malindi pretendon në ankimim se djali i tij nuk ka asnjë lidhje me ngarkesën e kokainës dhe i kërkon drejtueses së komanduar të Prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela që të hetojë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për shpërdorim detyre.
Avokati Malindi u kërkon përgjigje organeve të hetimit që të zbulojnë se kush e bëri dekonspirimin e operacionit, gjithashtu të hetojnë se si u vodh orizi që ishte vendosur në vendin e kokainës në sy të policëve që supozohej se po e ruanin 24 orë.
Në ankimim drejtuar Gjykatës së Apelit, Ilir Malindi ka cituar edhe një mesazh që ka shkëmbyer me kryeministrin Edi Rama në vitin 2017. Pasi sipas avokatit, djali i tij po vuan për shkak të hakmarrjes politike që ka kreu i ekzekutivit ndaj tij.
“Zoti kryeministër! Krijoni Ministrinë për tërheqjen e investimeve të huaja. Kështu eliminohen politikanët shqiptarë që fusin hundët kudo që kërkohet të investohet. Maqedonia e Veriut kishte një ministri të tille dhe u befasova që ata kishin një ministri të tillë. Jam i mendimit se shqiptarët e ndërtojnë vetë Shqipërinë. Ç’na duhen politikanët? Për të rrjepur popullin”, kishte shkruar Gentian Malindi.
“Mos e përdor këtë telefon po ta përsëris”, ka qenë përgjigja e kryeministrit Rama.
Malindi kishte shtruar 13 pyetje për prokurorinë, ku kërkon që të kontrollohet edhe gjendja psikike e oficerit të policisë së portit të Durrësit Ardian Bega, njëri prej dy personave të arrestuar për 137 kilogramëve kokainë.
Ka qenë dëshmia e këtij të fundit ajo që ka nxjerrë zbuluar biznesmenin Gentian Malindi. Në dëshminë e zbardhur nga Abc Neës Bega ka deklaruar se Malindi i kishte premtuar 200 mijë lekë që të nxirrte diçka nga terminali i kontenierëve.
Sipas oficerit të portit kanë qenë në plepa kur e kanë kuptuar se në pako nuk kishte kokainë, por oriz. Bega ka thënë se është trembur dhe nuk e kujton ku ka zbritur Malindi. Trafiku i lëndës narkotike ishte sinjalizuar nga DEA amerikane dhe u zbulua nga policia greke.
Uniformat blu të vendit fqinj kanë bërë zëvendësimin e 137 kilogramëve kokainë me oriz, në Portin e Pireut. Më pas kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e konteinerit, deri në Durrës, për të zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës. Aktualisht të arrestuar janë Ardian Bega dhe Altin Myslihaka./ABC News Albania 24/7