Euro U-21/ Shqipëria në vendin e parë në grupin E, trajneri Bushi analizon sfidat ndaj Finlandës e Malit të Zi: Kjo skuadër ka karakter

schedule18:57 - 19 Tetor, 2023

schedule 18:57 - 19 Tetor, 2023

Shqipëria U-21 hodhi pas krahëve disfatën ndaj Finlandës dhe arriti një triumf mjaft të rëndësishëm 2-0 kundër Malit të Zi, për të rimarë vendin e parë në grupin E. Kuqezinjtë deri më tani kanë zhvilluar katër ndeshje, ku numërojnë tre fitore dhe një humbje.

Trajneri i nën 21 vjeçarëve, Alban Bushi komentoi në një prononcim për fshf.org dy ndeshjet e zhvilluara ndaj Finlandës dhe Malit të Zi. Tekniku kuqezi vlerësoi karakterin e lojtarëve që reaguan menjëherë pas humbjes në transfertë. Ai theksoi se nga disfata me Finlandën, skuadra nxori mësimet e duhura, ndërsa më tej shtoi se ekipi U-21 motivohet nga Kombëtarja A, që është shumë pranë kualifikimit në Europian. Përsa i përket ndeshjeve të radhës, ato në transfertë ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi, Bushi theksoi se tani i njeh kundërshtarët, ndërsa shpreson që në këtë periudhë lojtarët të mos pësojnë dëmtime dhe grupi të jetë i plotë për ndeshjet e nëntorit.

Analiza e ndeshjeve ndaj Finlandës dhe Malit të Zi – Në qoftë se i shikon ndeshjet në total, katër sfida nëntë pikë është goxha mirë, për një ekip modest siç jemi ne, Shqipëria, edhe për qëllimin dhe objektivat që kemi ne. Për dy ndeshjet që sapo kaluam si Finlanda edhe Mali i Zi, mendoj që nuk bëmë mirë në Finlandë. Kundërshtari e meritoi fitoren plotësisht. Finlanda na ndëshkoi me dy gola shumë të shpejtë në pesë minutat e para, u mundua të qarkullonin topin, por nuk kishim forcë sulmuese. Disa lojtarë nuk i kishim në formën e duhur për shumë arsye, por duhet t’i japin edhe meritat ekipit të Finalandës, pasi ishte një ekip më të vërtetë i mirë. Dua t’i falenderoj çunat, pasi e ngritën kokën shumë shpejt, pas një humbje të thellë 4-1, arritëm të fitonim me Malin e Zi, kjo tregon që ata kanë forcë karakteri dhe shumë besim. Nuk është e lehtë të humbësh 4-1 dhe të fitosh 2-0 ndeshjen tjetër. Kjo tregon që ata kanë potencial si fizik ashtu edhe teknik, ashtu edhe psikologjik për të parë qëllimin dhe objektivat që ne i kemi vënë vetes.

Në ndeshjen me Malin e Zi ishim me shumë mungesa, pasi na u dëmtuan shumë futbollistë, pothuajse pesë lojtarë. Por lojtarët që morën pjesë si në ndeshjen e parë po ashtu edhe në të dytën dhanë maksimumin dhe jam shumë i kënaqur dhe nga ata, pavarësisht se i morëm në plan të dytë sepse qëllimi i Kombëtares kjo është, të jemi gjithmonë një grup i plotë prej 40 lojtarësh dhe kur të mungoj njëri të vijë tjetri.

Diferencat janë shumë të vogla, tani kemi nëntë pikë, kemi ndeshjet e radhës me Rumaninë dhe Malin e Zi që janë shumë të rëndësishme mbas një muaji. I njoh kundërshtarët kjo është gjë e mirë tani, kemi luajtur edhe me Rumaninë edhe me Malin e Zi. Rumania mori edhe një fitore në minutë të fundit me Finlandën pardje. Mendoj që do të bëjmë mirë si në Rumani po ashtu edhe në Malin e Zi. Shpresoj shumë që ta kemi grupin e plotë.

Mentaliteti i ekipit nga humbja në fitore? – Ne pamë video pas ndeshjes me Finlandën, pavarësisht se unë thashë që ata e merituan fitoren, por nuk mund të them që ne merituam një humbje 4-1. Nga një humbje mund të marrësh edhe gjëra të mira dhe ne nxorëm vetëm gjërat e mira. Shikuam që kemi pasur goxha zotërim topi dhe në qoftë se do të kishim shfrytëzuar ato raste do të ishte krejt ndryshe loja me Finlandën. Mësuam nga ajo disfatë që nuk duhet të humbasim përqendrimin si në minutat e para ashtu edhe në minutat e fundit sepse futbolli luhet 95 minuta, kështu që duhet të jemi të përqendruar. Mendoj që ne kemi një grup të mirë, me shumë lojtarë cilësorë. Karakteri dhe forca që ata kanë bënë që pas dy ditësh të ndryshojnë dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sepse është e vështirë ta marrësh veten nga një humbje mes tre ditëve 4-1 dhe të fitosh 2-0.

Vendi i parë në grup, cilat janë shanset e Shqipërisë për kualifikimin në Europian? – Pas katër ndeshjesh mendoj që jemi ekip modest, i dimë shumë mirë limitet tona. Nuk është se jemi euforik, absolutisht që jo, e dimë shumë mirë kush është Zvicra, Rumania, Finlanda, por kur jemi të bashkuar bëjmë gjëra të mëdha. E kemi treguar me Rumaninë që për 30 minuta shënuam tre gola. Lojtarët potencialin e kanë, thjesht duhet motivim, dëshirë edhe pasion për Shqipërinë për fanellën. Lojtarët motivohen edhe nga ekipi A që ka bërë shumë mirë në kualifikueset e Europianit, sepse kur e arritën ata objektivin pse mos ta arrijmë edhe ne, kështu është psikologjia e lojtarëve. Unë mendoj se të gjithë futbollistët në botë nuk kanë diferenca të mëdha. Nëse ti punon sakrifikon, ushqehesh mirë, mban regjim mund të arrish çdo gjë./ h.ll/abcnews.al