Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mbrëmje Presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili mbërriti në Tiranë, në kuadrin e vizitës së parë zyrtare që një President francez zhvillon në Shqipëri.
Ndalesa e parë e Presidentit të Francës Macron ishte në Pallatin e Brigadave, ku në një ceremoni të posaçme, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të lartë, në urdhrin e Legjionit të Nderit.”, u shpreh Presidenti francez Macron, teksa i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e nderit./abcnews.al