SHBA: Dërgimi i aeroplanmbajtësve në Izrael është një mesazh parandalimi për Iranin

schedule16:38 - 15 Tetor, 2023

schedule 16:38 - 15 Tetor, 2023

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha sot se Uashingtoni është i shqetësuar për një “përshkallëzim” të mundshëm të situatës me përfshirjen e Iranit në konflikt.

“Ekziston rreziku i përshkallëzimit, mundësia e hapjes së një fronti të dytë në veri dhe, natyrisht, përfshirja e Iranit”, tha ai në një intervistë, në rrjetin televiziv CBS. Këshilltari i presidentit, Joe Biden, shpjegoi se SHBA nuk mund të përjashtojë mundësinë që “Irani të vendosë të përfshihet në një mënyrë ose në një tjetër “.

“Ky është një rrezik për të cilin kemi qenë të vetëdijshëm që në fillim”, shtoi ai. “Kjo është arsyeja pse presidenti reagoi kaq shpejt dhe me vendosmëri, me vendosjen e një aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor, për të pasur avionë në Gji, për të dërguar një mesazh shumë të qartë për çdo shtet apo subjekt që do të përpiqej të përfitonte nga situata”, vazhdoi ai.

Të shtunën, sekretari amerikan i mbrojtjes Lloyd Austin njoftoi se dy aeroplanmbajtëse, Gerald R. Ford dhe Eisenhower, do të vendosen në Mesdheun Lindor, së bashku me anijet e tyre shoqëruese.