Pianistja Ardita Bufaj ka rrëfyer në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, rrugën e saj drejt muzikës. Ajo ka zbuluar se ishte dëshira e nënës së saj, që një nga fëmijët të merrej me art dhe pa tek ajo elementët e duhur.
Sakaq, Bufaj ka ndarë edhe momentin emocionues kur doli përpara komisionit dhe u pranua nga shkolla artistike “Naim Frashëri” në Vlorë.
“Në fëmijërinë time, njohja e parë me instrumentin muzikor ka ardhur si këmbana e parë e jetës. Në atë moshë nuk e kisha të qartë që ky tingull do të kthej në një muzë të gjatë, që do të vinte si vetpërmbushje, por dhe që do të ishte i pandalshëm për të gjithë qënien time. Mësimet e para të pianos i kam marrë në moshën 6-vjeçe dhe kuptohet që nuk ishte vendimi im personal, por një dëshirë e brendshme e nënës sime, e cila e donte dhe e vlerësonte shumë të bukurën në art dhe dëshironte një nga fëmijët e saj të bëhej artist. Edhe më zgjodhi pikërisht mua, ndoshta ka parë copëza të articizmit tim që fëmijë, kërceja shumë balet klasik në shtëpi, këndoja në kopsht dhe filloi rrugëtimi. Që në atë moment, mbaj mend kur fitova konkursin për t’u pranuar në shkollën artistike ‘Naim Frashëri’ në Vlorë, komisionit i jam drejtuar dhe i kam thënë ‘Faleminderit që e fitova’ dhe më ngeli si fotografi buzëqeshja e anëtarëve të komisionit me natyrën dhe çiltërsinë e një fëmijë”, tregoi ajo./abcnews.al