Nëntë qytetarë amerikanë janë vrarë në Izrael, konfirmoi më 9 tetor Shtëpia e Bardhë, përderisa luftimet mes forcave izraelite dhe militantëve të Hamasit po vazhdojnë.
“Ne shprehim ngushëllime për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurve dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejt”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Mbi 700 persona janë vrarë në Izrael dhe mbi 500 në Gaza, që kur grupi militant palestinez Hamas nisi sulme masive ndaj Izraelit më 7 tetor. Po ashtu, është raportuar se militantët e Hamasit kanë zënë dhjetëra pengje izraelite.
Izraeli u kundërpërgjigj ashpër, duke kryer sulme ajrore në Gaza. Izraeli ka shpallur gjendje lufte dhe ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës. Po ashtu, afër 300.000 ushtarë rezervistë janë thirrur për të luftuar kundër Hamasit.
“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër dhe mbesim në kontakt me partnerët tanë izraelitë, veçmas me autoritetet lokale”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Izraeli dhe Hamasi në 15 vjetët e fundit kanë zhvilluar katër luftëra. Hamasi, që është e shpallur organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe fuqi të tjera – udhëheq me Rripin e Gazës që nga viti 2007.