Një ditë pas ngjarjes ku u mbytën në rezervuar nënë e bijë në fshatin Alarup, banorët i tremben përsëritjes së një tragjedie të tillë. Në të gjithë zonën ndodhen gropa vaditjeje, të cilët janë të shpërndara pa kriter dhe pa mbrojtëse anësore.
Tragjedia e dyfishtë mbrëmjen e së dielës në Alarup, ku humbën jetën 35 vjeçarja Liri Mazelli dhe vajza e saj 10 vjeçare ka shokuar banorët.
Ata i drejtohen të heshtur banesës së familjes Mazelli për t’i ngushëlluar.
Të tjerë banorë,janë rikthyer tek gropa ku u mbytën nënë e bijë, në përpjekje për të kuptuar diçka më tepër për rrethanat e ngjarjes.
Të tilla gropa i gjen të hapura në të gjithë fshatin,që vuan prej vitesh mungesën e sistemit të vaditjes.
Banorëti hapin vetë këto basene në afërsi të tokave bujqësore për të grumbulluar ujin gjatë stinës së reshjeve. I konsideronin të pasigurta dhe të rrezikshme, por nuk e kishin menduar, që do të ishin fatale, deri një ditë më parë.
“Ka gropa të këtilla këto janë krijuar për shkak të mungesës së sistemit vaditës dhe mungesës së ujit në fshatin Alarup”.
Gropat e vaditjes të shpërndara pa kriter në çdo sipërfaqe toke,nuk kanë asnjë lloj rrethimi apo mbrojtje anësore, çfarë shton shqetësimin e banorëve se tragjedia e së dielës mund të përsëritet.
“Të rrezikshme janë shumë se jemi të ndërgjegjshëm ashtu siç ndodhi edhe një i madh mund të humbasë jetën dhe jo një fëmijë”.
Një ditë më parë,u gjetën të mbytura në gropë me ujë në periferi të fshatit, Liri Mazelli dhe vajza e saj 10 vjeçare. Gruaja e re kur ka konstatuar mungesën e së bijës, të cilën e kishte marrë me vete në arë, ka shkuar tek gropa buzë së cilës ka gjetur shapkat e së bijës. 35 vjeçarja është hedhur për ta shpëtuar, por nënë e bijë janë mbytur. Familjarët kanë nxjerrë nga baseni trupat e pajetë, ndërsa policia e klasifikoi ngjarjen si aksidentale. /ABC News Albania 24/7