Nga Talo Çela, te Laert Haxhiu me shokë, flet kryeprokurori i Elbasanit: Procesi i kërkimit është kompleks, por …

schedule15:55 - 7 Tetor, 2023

schedule 15:55 - 7 Tetor, 2023

Situata kriminale në Elbasan vitet e fundit duket më e stabilizuar dhe për këtë prokurori Ajazi thotë se kanë ndikuar disa faktorë, nga arrestimi i disa personave me rrezikshmëri të lartë, goditja e disa grupeve kriminale, dënimi i disa prej tyre e të tjerë që janë larguar jashtë vendit e shpallur në kërkim.

Në një intervistë për ABC News me gazetaren Etleva Delia për emisionin ‘Gjërat tona’, Ajazi flet edhe mbi operacionet e të shumëkërkuarëve, mes tyre edhe Talo Çela.

Pjesë nga intervista:

Elbasani është konsideruar si një rreth problematik, ka një periudhë që duket se ka rënë qetësi. Si paraqitet sot, situata kriminale në Elbasan?
Në tërësi gjendja e kriminalitetit në Elbasan nuk ka qenë shumë e ndryshme në krahasim me situatën e kriminalitetit në të gjithë territorin e Shqipërisë. Pra, ngjarje të rënda dhe situata me forma të caktuara të grupeve kriminale ka në cdo qendër të madhe urbane në Shqipëri. Në bashkëpunim me policinë e shtetit, jemi fokusuar në disa drejtime prioritare të punës tonë, duke u fokusuar kryesisht në hetimin dhe në dëshirën për të patur rezultate konkrete kryesisht sa i përket krimeve të rënda. Sigurisht paraqiten forma shqetësuese që lidhen me shitjen e narkotikëve, kemi patur rezultate domethënëse gjatë këtij viti. Ky tip kriminaliteti ka marrë përgjigje serioze. Forma të tjera janë ato që hasen më shpesh, mbetet shqetësues dhuna në familje, vjedhjet, apo edhe veprat penale që lidhen me sigurinë në rrugë.

Nga 5 më të kërkuarit, sot për sot në Shqipëri, tre prej tyre duke përfshirë këtu edhe Laert Haxhinë i përkasin Elbasanit, por ka patur edhe një goditje të kontigjenteve kriminale, mbase kjo ka arritur të qetësojë disi situatën?

Organet e ndjekjes penale, kanë përgjegjësinë e tyre në hetimin dhe më pas në gjykimin e veprave penale. Pjesa e kërkimit është nën përgjegjësinë e Policisë së Shtetit. Për aq sa është kërkuar apo vlerësuar e nevojshme, nga ana jonë në të gjitha rastet që është kërkuar, janë aplikuar metoda speciale me qëllim kapjen e tyre, brenda kufijve që lejon ligji, procesi i kërkimit është kompleks. Një pjesë janë persona në kërkim për llogari të prokurorisë së Elbasanit, një pjesë janë për llogari të prokurorive të tjera përfshi edhe SPAK. Dhe në dijeninë time, janë zhvilluar dhe zhvillohen veprime operacionale, ndërmerren hapa konkret, në funksion të kapjes së personave në kërkim. Veprimtaria i është vështirësuar, dhe rrjedhimisht sjell një situatë me të favorshme./abcnews.al