“Importet dhe eksportet e mallrave kanë rënie të theksuar”, Meta: Rritja e çmimeve ka goditur shtresën e mesme

schedule13:58 - 4 Tetor, 2023

schedule 13:58 - 4 Tetor, 2023

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një konferencë për mediat, ku bërë publike disa shifra që sipas tij janë në rënie gjatë 3 mujorit të dytë të këtij viti.

Meta shprehet se kontributi në bujqësi, industri  e energji është negativ, ndërsa  ai turizmit ka një rritje fare modeste.

Kreu i PL, thekson se alarmante janë kontributet negative të eksporteve dhe importeve të mallrave, e po ashtu edhe papunësia e lartë deri në moshën 29 vjeçare.

“Kontributi i Bujqësisë në rritjen ekonomike është në rënie me 0.03%.

Ndërsa kontributi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit, është gjithashtu negativ në tremujorin e dytë të vitit 2023, në 0.31%.

Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, pra grupi ku përfshihet turizmi në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të këtij vitit mbetet fare modest në vetëm 0.19%.

Ajo që duhet theksuar si alarmante për ekonominë, është kontributi negativ i eksporteve dhe importeve të mallrave, të cilat kane rënie të theksuar.

Eksportet e mallrave kanë treguar në vazhdimësi krizën e thellë të sektorit të eksporteve.

Në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliard Lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27,4 %, në raport me muajin paraardhës.

Importet e mallrave arritën vlerën 68 miliardë Lekë, duke u ulur me -15,0 %, në krahasim me një vit më parë.

Ne tetë muajt e vitit 2023 totali i eksporteve të mallrave është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 328 miliardë lekë në vitin 2022 në 300 miliardë lekë. Mbiçmimi i Lekut gjatë muajve Maj-Qershor-Korrik-Gusht, i ndikuar gjerësisht nga ekonomia informale dhe pastrimi i parave, ka ndikuar thellbësisht në krizën e sektorit të eksporteve.

Një shqetësim madhor vazhdon të mbetet niveli i lartë i papunësisë për moshat e reja deri në 29 vjeç.

Papunësia e të rinjve edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023 në nivelin 22.3%, mbetet shumë e lartë, duke patur parasysh edhe nivelin shumë të lartë të emigracionit të kësaj grupmoshe, që tregon për një krizë sociale për të gjithë të rinjtë që jetojnë në vendin tonë.

Dhe për këtë qeveria nuk tregon asnjë vëmendje të veçantë ndërkohë që kjo është një dramë shoqërore dhe një dramë e çdo famijeje shqiptare.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë.

Çmimet e ushqimeve vazhdojnë rritjen galopante, duke shënuar në nivel vjetor një rritje prej gati 8%.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve kryesisht të atyre ushqimore ka rritur më tej varfërinë e grupeve më të prekura të shoqërisë duke thelluar më tej përjashtimin e tyre social, si edhe ka goditur shtresën e mesme.

Të gjitha këto ndikojnë tek treguesi më alarmant, demografia e vendit dhe ecuria e tij. Që është një interes strategjik kombëtar, pasi në këto 10 vite e fundit vendi është goditur në palcë prej emigracionit dhe ritmeve shumë të ulëta të lindjeve.

Numri i lindjeve në tremujorin e dytë të vitit 2023 është në rënie me 8,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Qeveria shqiptare nuk ka asnjë vëmendje dhe politikë për të krijuar një model ekonomik zhvillimor që sjell mirëqenië dhe punësim për qytetarin, por vazhdon t’i shërbejë një ekonomie informale të zezë dhe klientëve të saj.

Kjo mos vëmendje e qeverisë ka sjellë si rezultat largimin e të rinjve dhe thellimin e papunësisë tek moshat e reja, rënien demografike dhe njëkohësisht edhe humbjen e perspektivës për zhvillimin e vendit” tha ndër të tjera Meta./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!