AI/Spikeret virtuale do të zëvendësojnë personat fizikë? Flet eksperti i IT: E ardhmja është shumë afër

schedule17:45 - 3 Tetor, 2023

schedule 17:45 - 3 Tetor, 2023

Prej disa ditësh në rrjet po qarkullon lajmi se spikerja e parë virtuale e krijuar nga inteligjenca artificiale ka dhënë lajmet në gjuhën shqipe.

Lidhur me këtë ka folur në “News Line”, eksperti i IT, Brenton Benja, i cili i pyetur nga Viol Xhafaj nëse gazetarët do të rrezikojnë vendin e punës, tha jo tani, por në një të ardhme shumë të afërt.

Sipas Benjës, Inteligjenca Artificiale aktualisht mund të mbledhë informacione për pak sekonda, një punë që një gazetari i duhet një ose dy javë.

“Momentalisht jo dhe mendoj që videoja që është bërë virale është pak a shumë për të treguar se deri ku mund të shkojë Inteligjenca Artificiale në këtë këndvështrim, pra në vendin tënd të punës. Por ka dhe shumë profesione të tjera, brenda medias me që po flasim për këtë, që janë profesione të rrezikuara. Në fakt, ky është një avatar, është një personazh fiktiv, duket shumë real, duket sikur është foto e një personi të krijuar në këtë video, por është e gjitha një imazh i krijuar nga Inteligjenca Artificiale. I është dhënë një tekst, të cilin e ka lexuar në gjuhën shqipe me pak probleme, nuk është aq perfekt. Por nëse një shembull i tillë do të bëhej në gjuhën angleze për shembull apo në një nga gjuhët më të përdorura në botë do të ishte perfekte.

Faktin që flasim shqip e kemi pak më larg në këtë aspekt. Në shumë aspekte të tjera, si për shembull në aspektin e gazetarëve sot mund ta bëj shumë mirë punën e një gazetari dhe në gjuhën shqipe Inteligjenca Artificiale. Mund të mbledhi informacione pafund nga shumë burime, punë që një gazetari mund t’i duhej një ose dy javë për ta përgatitur, atëherë Inteligjenca Artificiale e bën brenda pak sekondave, jo vetëm kaq, por mund të shkruaj dhe artikullin aq lehtë. Siç e thash, nuk do na zëvendësoj tani, por e ardhmja e zëvendësimit është shumë afër”, tha ai./abcnews.al