Takimi Putin-Haftar në Moskë, komandanti libian kërkon ndihmën e ushtarëve të Wagner

schedule22:09 - 29 Shtator, 2023

schedule 22:09 - 29 Shtator, 2023

Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi situatën në Libi dhe rajonin më të gjerë në një takim me komandantin e forcave libiane lindore, Khalifa Haftar, në Moskë, konfirmoi të premten zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Po, ne konfirmojmë se ka pasur një takim me komandantin Haftar,” i tha Peskov agjencisë ruse të lajmeve RIA të enjten.

Sipas shërbimit për shtyp të Ushtrisë Kombëtare Libiane, Haftar mbërriti në Moskë të martën dhe u takua me ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë.

Nga ana e tij, Yunus-Bek Efkurov, zëvendësministri rus i mbrojtjes, vizitoi Libinë lindore dy herë kohët e fundit, në gusht dhe javën e kaluar.

Çfarë kërkon Haftar nga Putini

Sipas raportimeve të mediave, Marshali Haftar kërkon më shumë pajisje ushtarake ruse nga Putin, duke përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe dronët, dhe pret të hapë objekte për t’i mirëmbajtur ato në Libi.

Thuhet gjithashtu se Haftar i ka kërkuar presidentit rus të dërgojë luftëtarë Wagner për të përforcuar ushtrinë e tij.

Rusia, nga ana e saj, kërkon të fitojë akses në portet ushtarake libiane në Bengazi ose Tobruk.

Libia e pasur me naftë është zhytur në kaos që nga viti 2011, kur Muammar Gaddafi u rrëzua pas katër dekadash në pushtet.