Zgjedhjet në Kosovë, kryetarja e KQZ-së: Pjesëmarrja 1% më e lartë se zgjedhjet e kaluara

schedule12:22 - 6 Tetor, 2019

schedule 12:22 - 6 Tetor, 2019

Në një intervistë për ABC News, kryetarja e Komisionit Qendror të zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka tha se procesi zgjedhor është duke u zhvilluar në rregull.

Megjithatë, ajo theksoi se ka pasur disa incidente, por që janë përballuar nga prokuroria dhe policia e Kosovës. Për sa i përket qytetarëve që kanë dalë për të votuar, Daka tha se kemi të bëjmë me 1% më shumë qytetarë që kanë votuar se viti 2017.

“Siç e thashë edhe në konferencë për media, procesi është duke u zhvilluar në rregull, përveç disa incidenteve të vogla që kanë qenë në njëfarë mënyre të kontrolluara nga prokuroria dhe policia e Kosovës. Procesi është duke u zhvilluar gjithandej. Dalja është pak më e madhe se viti 2017, ku kemi një përqindje prej 9.64% apo 1% më shumë se në vitin 2017”, tha Daka.

Për sa i përket votimit në qendrat e votimit në veri të Kosovës, Daka tha se pati disa probleme të vogla fillimisht, ku komisionerët patën mosmarrëveshje se cilat dokumente do të pranohen për të votuar.

“Në pjesën veriore të Kosovë votimi është duke u zhvilluar. Kemi pasur disa eksese të vogla, por qytetarët janë duke votuar me dokumente të Republikës së Kosovës dhe vazhdojnë të votojnë në atë mënyrë. Kemi pasur një mosmarrëveshje mes disa komisionerësh se cilat dokumente do pranohen. Kjo çështje u zgjidh dhe procesi nisi normalisht”, tha Daka./abcnews.al