Kupa e Federatës Shqiptare të Basketbollit do të zhvillojë sot finalen e meshkujve.
Përballë do të jenë Besëlidhja dhe Tirana, takim që do të startojë në orën 17:00 në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Lezhjanët e Afrim Bilalit kaluan në gjysmëfinale Partizanin, duke i shkatërruar “demat” me rezultatin treshifror 108-66.
Ndërsa nga tjetër bardheblutë e Erkand Karajit realizuan një përmbysje fantastike ndaj Kamzës, falë një periode të katërt të shkëlqyer, duke triumfuar në fund 91-89.
Kështu edicioni i ri në basketbollin e meshkujve fillon ashtu sikurse u mbyll sezoni i kaluar i Superligës, me Tiranën dhe Besëlidhjen në finale, skuadra që dhuruan një seri tepër emocionuese, ndërsa në fund titulli shkoi në shtëpinë bardheblu. Tashmë lezhjanët dhe kryeqytetasit pritet të japin një tjetër betejë elektrizuese për trofeun e parë të sezonit 2023-2024./ h.ll/abcnews.al