Ngërçi i dialogut Kosovë-Serbi, që po zhvillohet nën ndërmjetësimin e bashkimit evropian, duket se ka rritur “dashurinë” e dy vendeve për Shtetet e bashkuara të Amerikës. Presidentja e Kosovës Vjosa osmani si dhe homologu asaj serb Aleksander Vuçiç, dolën me mesazhe të qarta për ecurinë e bisedimeve dhe për shkaqet që kanë çuar në ngadalësimin e procesit. Të dy drejtuan gishtin nga Bashkimi Evropian.
Fillimisht ishte Osmani, ajo e cila në një intervistë për mediat vendase foli për domosdoshmërinë e përfshirjes së Uashingtonit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, në një kohë kur negociatat diplomatike në Bruksel nuk po arrijnë të prodhojnë rezultate të prekshme.
Ajo madje tha se duhet te krijojnë draftin e Asosiacionit me Shba dhe më pas tia paraqesin sekretarit amerikan, Antony Blinken.
“Mendoj se kështu është zgjidhja, të ulemi me partnerët tanë në Shtetet e Bashkuara, ta prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës” deklaroi presidentja osmani.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Beogradi mund të arrijë më shumë nëse procesi i dialogut do të udhëhiqej nga Uashingtoni. “Ne kemi më shumë mirëkuptim, mund të arrijmë më shumë me SHBA-të sesa me BE-në”, deklaroi presidenti serb.
Këto deklarata vejnë në pikëpyetje gatishmërinë e të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Ohër, që njihet gjerësisht si plani franko gjerman.
Zyrtarët amerikanë në mënyrë të përsëritur kanë deklaruar se ata nuk janë pjesë të ndërmjetësimit, por mbështesin plotësisht procesin e lehtësuar nga Brukseli. Madje ata e kanë mbështetur propozimin duke thënë se është një bazë e mirë, që do të dërgojë në synimin final: normalizimin e marrëdhënieve.