LUSHNJË- Policia e Lushnjës ka arrestuar disa ditë më parë Artan Tafanin, të riun e shpallur në kërkim si autor i grabitjes së një exchange në zonën e Astirit në Tiranë.
Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra, mëson se nga hetimet, rezulton se Tafani është pjesë e grupit të Laert Haxhiut në Lushnjë dhe ndër emrat që ai ka përmendur para hetuesve për vrasjet që janë zbardhur është edhe emri i Haxhiut.
Leart Haxhia është dënuar me 18 vjet burg nga Gjykata e Lushnjës për masakrën e 11 shtatorit 2017, ku mbetën të vrarë Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.
Autor i masakrës së Lushnjës, Laert Haxhiu është arrestuar në Greqi dhe pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë. Ai akuzohet se në bashkëpunim me Orges Bilbilin ekzekutuan me breshëri plumbash Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi në një lokal.
Tafani ka zgjedhur të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ndërsa aktualisht pas deklarimeve të tij Policia dhe FNSH kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në disa qytete për të shoqëruar personat, të cilët kanë marrë pjesë në ngjarje kriminale.
Aktualisht thuhet se falë dëshmive të tij, autoritetet kanë zbardhur gjashtë vrasje në Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe në Tepelenë. Gazetarët e ABC News, referuar burimeve hetimore, raportojnë se janë lëshuar në total 17 urdhër-arreste për dhjetëra ngjarje kriminale/ n.m. abcnews.al