Gazetari Gjergj Figuri raporton se grupi hetimor pritet të rimarrë në pyetje sërish disa persona lidhur me vrasjen e 59 vjeçarit Martin Bardhi një ditë më parë në Rrëshen për të varë nëse do të ketë lëvizje të dëshmive të tyre.
Ai tha se autorët e ngjarjes, të cilët kanë qenë të tre të maskuar, kanë përdorur targa të vjedhura dhe është e vështirë për të bërë identifikimin e makinës.
Ai tha gjithashtu se po bashkëpunohet me policinë e Shkodrës për shkak se dyshohet se ata kanë lëvizur nga Vau i Dejës.
Sipas gazetarit, po merren në pyetje edhe banorë të fshatrave aty pranë nëse kanë parë ndonjë lëvizje të dyshimtë të autorëve.
“Në fakt autorët nuk kanë lëvizur shumë, kanë lëvizur vetëm pak km në drejtim të fshatit Gëziq ku kanë djegur makinën. Është një zonë që në dukje është e boshatisur por pranë tyre ndodhen dhe tre fshatra të tjerë që lidhen më pas me Pukën. Duke qenë se Mirdita ka kufi me Pukën, është bashkëpunuar edhe me policinë e Shkodrës për të parë nëse ka pasur lëvizje drejt aksit të Vaut të Dejës dhe më pas drejt Shkodrës. Ky mund të jetë një itenerar që mund të jetë përdorur nga autorët pasi në kthim do ta kishin pasur të vështirë. Po merren në pyetje dhe banorë të fshatrave nga dyshohet se mund të kenë kaluar autorët për të parë nëse ka pasur lëvizje të dyshimta, qoftë në këmbë apo automjet. Mendohet se kanë lëvizur në këmbë për të shmangur identifikimin dhe kontrollet nëpër akset lidhëse të rrugëve të Mirditës.”, theksoi gazetari./abcnews.al