Futbolli shqiptar sot është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare legjenda e futbollit tiranas, Osman Mema, një nga përfaqësuesit më të spikatur të dinastisë kryeqytetase Mema, i cili ka shkruar emrin e tij me shkronjat të arta në historinë e futbollit shqiptar.
Mema, i cili ka luajtur në rolin e mesfushorit dhe mbrojtësit për Tiranën dhe Partizanin, është një nga lojtarët më të dekoruar në historinë e futbollit shqiptar, duke fituar kampionatin kombëtar shtatë herë, ndërsa është nderuar me tituj e dekorata nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Osman Mema, i cili shquhej për shkathtësinë, shpejtësinë, rezistencën dhe punën, ishte pjesë e disnastisë Mema, familje e cila ndër vite ka nxjerrë futbollistë e trajnerë me cilësi si vëllezërit e tij Haxhiu dhe Aliu, si dhe nipërit e tij Sulejman dhe Ardian Mema.
Për lajmin e hidhur ka reaguar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ka vlerësuar kontributin dhe rolin e Osman Memës në historinë e futbollit shqiptar, duke e cilësuar si një personalitet të madh.
“Futbolli shqiptar e në veçanti ai tiranas humbi sot një tjetër figurë legjendare. Është ndarë nga jeta Osman Mema, një nga figurat më të spikatura të dinastisë Mema, që i ka dhënë shumë futbollit e që ka fituar më shumë tituj.
I nderuar me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” nga Federata Shqiptare e Futbollit pesë vite më parë, me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe shtatë herë Kampion i Shqipërisë me fanellat e Tiranës dhe Partizanit, Mema zë një vend të rëndësishëm në hollin e famës së futbollit shqiptar, duke qenë një personalitet i padiskutueshëm në fushë dhe jashtë saj. Një qytetar model dhe me vlera të mëdha.
Dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mema për këtë humbje të madhe. Kujtimi i tij në historinë e futbollit shqiptar do të mbetet i paharruar. U prehtë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka në reagimin e tij. /FSHF