“SHBA po lodhet nga Kurti, mund të tërhiqet nga bisedimet”, analisti: Kjo do të ishte humbje e madhe për Kosovën

schedule16:34 - 22 Shtator, 2023

schedule 16:34 - 22 Shtator, 2023

Analisti Xhelal Neziri theksoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po hyn në një konflikt verbal me të dërguarin e BE-së për dialogun me Serbinë, Miroslav Lajçak. Në një intervistë për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadaku, ai tha se po tenton të ushtrojë presion por kjo i bën dëm Kosovës.

“Është e pazakontë që në një vend, një union kaq serioz nga i cili varet e gjithë ekonomia e Ballkanit Perëndimor, të hapen fronte dhe konflikte verbale me qëllim të krijimit të pozicioneve më të mira në negociata në Serbi ose edhe të tentimit për të bërë presion ndaj tij dhe BE-së që në një farë forme të jetë më në favor të Kosovës. Mendoj që këto veprime nuk arrijnë efektin e dëshiruar por përkundrazi e paraqesin Kosovën gjithnjë e më shumë si burimi i problemit, gjë që nuk është. “, tha analisti.

Sipas tij, diplomacia amerikane është e zhgënjyer nga Albin Kurti dhe se dalëngadalë do të tërhiqet nga përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse një gjë e tillë do të ndodhë, sipas analistit, do të ishte një humbje e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Mendoj se Escobar dhe diplomatët më të lartë amerikanë janë të zhgënjyer dhe kanë hequr dorë se kjo strukturë qeverisëse e Kosovës do të mund të çojë një proces për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë deri në fund. Pra, ka një hamendje në diplomacinë amerikane nëse do të duhet të vazhdojnë me përpjekjet që të çojnë përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, i cili në planin afatgjatë, do të finalizohej me njohjen e ndërsjellë apo të tërhiqen dhe të presin kohë më të mira, në kuptimin e ardhjes në pushtet e një strukture më operuese, e cila i kupton më mirë kontekstet gjeopolitike, pozicionet e fuqive të mëdha dhe rrugët nëpërmjet të cilave duhet të arrihet drejt një qëllimi final që është njohja.

Kam frikë se diplomacia amerikane dalëngadalë do të tërhiqet nga përpjekjet e saj për të normalizuar marrëdhëniet për shkak se edhe Serbia, jo që tregon ndonjë gatishmëri më të madhe që të rreshtohet me Perëndimin, sidomos kur merret parasysh se vendimi i fundit i zotit Vuçiç që të mos mbështesë sanksionet e Perëndimit por edhe që e përsëriti gjatë ditës së sotme kur u shpall vendimi i BE për të vazhduar edhe për 12 muaj sanksionet ndaj Rusisë, Serbia nuk u rreshtuar krah tyre. Kjo situatë po zbeh gjasat që të arrihet synimi i diplomacisë amerikane që më në fund edhe Ballkani të paqësohej si rajon dhe të përshpejtojë integrimin drejt BE. Një tërheqje eventuale e diplomacisë amerikane nga kjo çështje do të ishte humbje e madhe në radhë të parë për Kosovën, qytetarët e saj sepse do të humbnin një përkrahës të projektit të shtetit, dhe nuk do të ishte një lajm i mirë edhe për rajonin.”, u shpreh analisti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!