Turizmi, rastësi apo strategji? Ministrja Mirela Kumbaro flet në Real Story

schedule20:07 - 18 Shtator, 2023

schedule 20:07 - 18 Shtator, 2023

Për ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro asgjë nuk ndodh rastësisht, ndaj edhe turizmin masiv që Shqipëria përjetoi gjatë këtij sezoni, por jo vetëm, ajo ia atribuon strategjisë së nisur vite më parë.

Në një intervistë me gazetarin Sokol Balla, në emisionin ‘Real Story”, në ABC News, Kumbaro thotë se vendi ynë përjetoi një ‘boom’ falë një sërë komponentësh të strategjisë së ndërmarrë nga qeveria shqiptare.

“Asgjë nuk ndodh rastësisht. Është një strategji që ka nisur le të themi rreth 10 vjet më parë me mënyrën si menduam të ndërhyjmë në territor, që nga planifikimi i territorit. Kujtoj këtu programin Rilindja Urbane, një program që ndërhyri jo thjesht estetikisht, por ndërhyri bashkë me estetikën, me rregullimet, me shërbimet në çdo qendër të Shqipërisë, nga qyteti më i vogël deri te Tirana. Duke krijuar një ndryshim psikologjik dhe kjo solli më pas një zinxhir investimesh në sektorin privat. Ishte ajo shkëndija që na dha të kuptojmë se kemi kaq shumë potenciale, por kur mësohesh me disa gjëra nuk të bëjnë përshtypje, kur i lë në rrënojë të duken të shëmtuara dhe nis e mësohesh. Ky proces estetizimi urban dhe më pas edhe rural, si Vunoi, Dhërmiu, Thethi e me radhë, prodhoi një ekonomi të re. Falë ndërhyrjeve në restaurime dhe qëndrat historike dhe në rilindjen urbane, filloi një ekonomi që u provokua fillimisht nga kjo strategji publike, që pastaj nxiti investimet private. Kemi gjithashtu një tjetër element të strategjisë, krijimin e një kuadri ligjor përmes investimeve strategjike dhe i nxitjes së investitorëve në hotelet 4 dhe 5 yje që prodhoi një tjetër seri rezultatesh.” u shpreh minisrja Kumbaro, ndërsa shtoi se ndryshe nga vite më parë, sot flasim për turizmin jo vetëm si sektor pushimi, por edhe ekonomik.

“Që të jemi realistë, kujtoj që 10 apo 7 vite më parë, nuk flitej në Shqipëri për turizëm si një sektor ekonomik. Kishim zakon të flisnim për pushime edhe thonim ku do shkonim apo ku i bërë pushimet. Nuk flisnim për turizmin si sektor ekonomik të koordinuar mes qeverisë, politikave dhe sektorit privat. Të gjitha këto zinxhir, investime publike në infrastrukturë dhe në qendrat urbane dhe rurale, që kishin këtë destinacion. Kombinimi i një sektori tjetër të rëndësishëm, bujqësisë me turizmin, prodhoi një profil të ri të ofertës turistike, komplet të panjohur që është agroturizmi. Qëllimi ishte të diversifikonim ofertën turistike që praktikisht e shoqëruar me një punë të përvitshme, filloi të prodhojë një ofertë të re, një atraksion të ri. Në radhë të parë për shqiptarët vetë, më pas për turistët e rajonit, që janë një pjesë e rëndësishme e tregut tonë turistik. Dhe sot vijmë në një rezultat që e dha produktin e vet që nuk është asgjë tjetër vetëm se produkt i kësaj strategjie afatgjatë që e dha rezultatin e vet kulminant, me gjithë pandeminë me gjithë problemet që kemi patur dhe që u reflektuan në të gjithë botën, në 2023. Por edhe me një intensifikim të punë shumë të madhe në disa sektorë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me organizimin në dy vitet e fundit. Kjo prodhoi këtë rezultat. Është luftuar shumë fort për një përmirësim të imazhit të Shqipërisë.” deklaroi Kumbaro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!