OECD ka rritur parashikimin për ekonominë botërore. Sipas organizmit ndërkombëtar, ekonomia globale pritet të zgjerohet me 2.9% këtë vit, 0.1% më shumë se vlerësimi i bërë në qershor.
Kjo pasi ekonomia botërore ka treguar rezistencë në përballimin e goditjes nga kriza e energjisë së shkaktuar nga lufta në Iran. Shtetet e Bashkuara pritet të shohin një zgjerim më 2.2% këtë vit, ndërsa Eurozona parashikohet të zgjerohet me vetëm 1%.
Parashikimi për Kinën ndërkohë mbetet I pandryshuar me një rritje të pritshme prej 4.5%. çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani nisën sulmet në fund të shkurtit, por Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim liston disa faktorë që zbutën goditjen.
Sipas saj, rritja është mbështetur nga furnizimet shtesë nga prodhuesit jashtë Gjirit, kushtet më të mira financiare të vendeve, por edhe investimet e mëdha në inteligjencën artificiale që kanë forcuar prodhimin dhe tregtinë. Inteligjenca artificiale nënvizon OECD mund të ofrojë një rritje edhe më të fortë nga sa është parashikuar.
Bankat qendrore kanë filluar të rrisin normat e interesit për të frenuar inflacionin e nxitur nga çmimet e larta të naftës dhe gazit, të cilat i kanë çuar kostot e naftës dhe karburanteve të tjera në nivelet më të larta shumëvjeçare. Inflacioni total në vendet e G20 parashikohet të jetë 4.1% këtë vit, ndërsa OECD pret që ai të arrijë në 3% në eurozonë.
Në Evropë, këto kosto më të larta të huamarrjes , së bashku me mbështetjen e synuar dhe të përkohshme të energjisë, po ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi financat publike.

