Marco Giampaolo nuk e ka nisur aspak mirë aventurën e tij në krye të Milanit dhe shumë tifozë kuqezi i kanë dalë kundër trajnerit. Disa kërkojnë edhe shkarkimin e tij, pasi taktikat që ish-trajneri i Sampdorias përdor krijojnë shumë polemika.
Mediat italiane raportojnë se në rast se Giampaolo nuk e fiton sfidën e së shtunës kundër Genoas, me shumë gjasa do të shkarkohet. Prandaj, pritet që trajneri i Milanit të marrë disa masa për këtë sfidë, duke ndryshuar dhe formacionin.
Duke parë rëndësinë e kësaj sfide, Giampaolo pritet t’i besojë eksperiencës dhe do të ulë në stol talentin e ardhur këtë verë, Ismael Bennacer. Në vend të tij, titullar pritet të jetë Biglia.
Bennacer, edhe pse një lojtar shumë premtues, bëri një ndeshje për t’u harruar kundër Fiorentinës, sfidë ku shkaktoi dy penallti dhe bëri një numër të madh pasimesh të gabuara. Giampaolo duket se nuk ka më ndërmend t’i besojë dhe të rrezikojë stolin e tij./abcnews.al