Moska refuzoi sot të konfirmojë raportin e Uashingtonit për një samit të ardhshëm midis presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, por la të kuptohet për mundësinë e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.
“Jo, nuk mund të konfirmojmë, nuk kemi asgjë për të thënë për këtë çështje,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov në përgjigje të pretendimeve të Shtëpisë së Bardhë.
Uashingtoni njoftoi se negociatat sekrete për dërgimin e armëve nga Pheniani për makinën luftarake të Moskës po përparojnë “në mënyrë aktive”.
Sipas gazetës amerikane The Neë York Times, Kremlini po kërkon të sigurojë predha artilerie dhe raketa antitank nga Koreja e Veriut, ndërsa Kim po kërkon teknologji të fundit për satelitët dhe nëndetëset me energji bërthamore, si dhe ndihma ushqimore.
Zyrtarët amerikanë thanë për Neë York Times se Kim ka të ngjarë të marrë një tren të blinduar këtë muaj për në Vladivostok, në bregun rus të Paqësorit pranë Koresë së Veriut, për të takuar Putinin atje.
Vladivostok do të presë nga 10 deri më 13 shtator Forumin Ekonomik Lindor, ku vitin e kaluar morën pjesë përfaqësues të 68 vendeve.
Për më tepër, ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu njoftoi të hënën, se të dy vendet do të diskutojnë mundësinë e organizimit të stëvitjeve të përbashkëta ushtarake të përbashkëta.
/abcnews.al