Një foto e postuar në internet duket se tregon një gjeneral rus i cili nuk është parë në publik që nga rebelimi i grupit mercenar Wagner në qershor. Sergei Surovikin thuhet se ka qenë i afërt me shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq pas rrëzimit të avionit muajin e kaluar.
Ka pasur raporte se Gjenerali Surovikin është duke u hetuar për bashkëpunim të mundshëm në kryengritje. Por një foto që pretendon se tregon ish-komandantin rus në Ukrainë është publikuar tani në rrjetet sociale.
“Gjenerali Sergei Surovikin është jashtë. I gjallë, i shëndetshëm, në shtëpi, me familjen e tij, në Moskë,” thuhet në një postim.
BBC nuk e ka verifikuar ende vërtetësinë e fotos, e cila tregon një burrë me syze dielli duke ecur krah për krah me një grua flokëkuqe që i ngjan gruas së gjeneralit, Anna.
Mercenarët e Wagner tentuan një kryengritje të armatosur në 23 dhe 24 qershor, duke kërcënuar të marshojnë drejt Moskës, në shenjë rebelimi ndaj elitës ushtarake.
Prigozhin dhe 9 të tjerë u vranë në një aksident ajror pranë Moskës më 23 qershor, që nxiti spekulime nga më të ndryshmet. Pas kryengritjes së dështuar, ai ishte përshkruar nga shumë, si një i vdekur që ecte. Bashkë me fatin e tij, ishte diskutuar edhe ai i gjenaralit Surovikin, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe anëtar vip i mercenarëve të Wagnerit.
Për herë të fundit ishte parë në një video publike gjatë kryengritjes duke i bërë thirrje forcave të Wagner të ndalnin operacionin. Mediat raportuan më vonë se ishte arrestuar, por nuk pati konfirmim zyrtar. Surovikin u vu në krye të forcave ruse në Ukrainë në muajin tetor, por u shkarkua 3 muaj më vonë. Ka fituar reputacion për brutalitetin gjatë operacioneve ruse në Siri, ku u pagëzua si gjenerali Armagedon.
/abcnews.al