Udhëheqësi i grushtit të shtetit që përmbysi presidentin e Gabonit, Ali Bongo, thotë se nuk duhet nxituar për të shkuar në zgjedhje që “përsërisin gabimet e së kaluarës”, ndërsa presioni rritet për t’ia kthyer pushtetin një qeverie civile.
Një zëdhënës i sundimtarëve ushtarakë të Gabonit tha gjithashtu në televizionin shtetëror se ata “vendosën me efekt të menjëhershëm për të rihapur kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë që nga kjo e shtunë”, shkruan Al Jazeera.
Oficerët ushtarakë të udhëhequr nga gjenerali Brice Oligui Nguema morën pushtetin të mërkurën disa minuta pas një njoftimi se Bongo kishte siguruar një mandat të tretë në zgjedhje.
Oficerët vendosën Bongo në arrest shtëpie dhe zgjodhën Nguema si kreun e shtetit, duke i dhënë fund sundimit 56-vjeçar të familjes Bongo në pushtet.
Grushti i shtetit – i teti në tre vjet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore – tërhoqi turma brohoritëse në rrugët e kryeqytetit, Libreville./abcnews.al