Refik Halili, presidenti i Tiranës, paralajmëroi lëvizje në klubin e tij. Mesazhi i tij ishte i koduar dhe nuk pati emra të përdorur. Nuk përjashtohet mundësia e largimit të trajnerit Ardian Mema, i cili në deklaratën e tij për mediat theksoi se nuk e ka me tapi stolin e bardhebluve.
Mema analizon lojën, komenton deklaratat e presidentit Halili, si dhe bën “mea culpa” që nuk e aktivizoi nga fillimi mesfushorin Jurgen Çelhaka. Sigurisht humbja i ka dhembur, ashtu si dy golat e pësuar në pesë minuta. Gjithsesi Mema mendon se Tirana i ka pikët dhe derbi i humbur nuk i ka dhënë fund sezonit.
Profesor, u fol se Tirana ka më shumë eksperiencë, por sërish e njëjta muzikë ishte në derbi…
-Nuk ishte e njëjta muzikë, pasi ekipi ka luajtur mirë. Kjo ndodhi deri kur pësuam golin, që e falëm. Ekipi ka luajtur mirë edhe ndeshjen e kaluar, me Kukësin, pavarësisht si kanë dalë rezultatet. Kur luan me ekipet e forta, episodet vendosin edhe rezultatin. Deri në momentin që u përplasën Torasa me Kërçikun, ishim dominues në çdo drejtim. Kjo na bëri që të mos kishim qetësinë e duhur, pësuam edhe golin e dytë më pas. Ne ia kemi falur Partizanit fitoren.
Presidenti Halili deklaroi se ka disa lojtarë që nuk meritojnë të luajnë me Tiranën dhe do kalohen tek ekipi B. Ndani edhe ju të njëjtin mendim nga ajo që patë në fushë?
-Emocionet pas ndeshjes janë prezente, edhe unë jam nxehur. Unë marr përgjegjësitë e mia, pasi edhe unë kam faj. Edhe lojtarët duhet të marrim disi përgjegjësi. Pjesa që do shkojnë te B-ja, apo do rrinë tek A-ja, është gjë tjetër.
Zëvendësimet e bëra, a sollën ndryshimin që prisnit?
–Futja e Çelhakës më rezultoi goxha pozitive. Kam qenë disi në dilemë për aktivizimin e tij, duhet ta kisha futur që në fillim, pasi edhe Batha ishte i vrarë gjatë gjithë javë. Pas ndeshjes është kollaj ta bëjmë analizën.
Keni pësuar dy humbje me dy rivalë direkte…
-E përmenda edhe më parë. Duhet të punojmë me ekipin për anën psikologjike, me të gjithë lojtarët. Unë nuk mund t’u them lojtarëve që keni luajtur keq. Ka pasur edhe momente të mira për ne. Të pësosh dy gola për pesë minuta, është diçka shokuese. Megjithatë kjo i takon të ardhmes, të shohim. Është ende herët për të folur. Mund të bëhen komente, që Tirana nuk është për kampion, apo gjëra të kësaj natyre. Pikët Tirana aty i ka, në vendet e para është, do shohim përpara.
Presidenti deklaroi se problemi janë drejtuesit, pa specifikuar emra….
-Unë nuk kam marrë asgjë me tapi. Është diçka që duhet ta sqaronit ju me presidentin, jo unë.
Do kishit ndonjë peng nëse do të largoheshit pas derbit?
-Të lutem, këto pyetje janë për presidentin. Jo për mua.
/abcnews.al