“Zjarrvënësit të vihen para drejtësisë”, Rama: Mbrojtja Civile dhe Policia e Shtetit kanë bërë punë të shkëlqyer

schedule13:30 - 25 Gusht, 2023

schedule 13:30 - 25 Gusht, 2023

Gjatë konferencës së tij për mediat, kryeministri Rama foli edhe për situatën e zjarreve në vend, ku komplimentoi Agjencinë e Mbrojtjes Civile, për ndërhyrjen dhe menaxhimin e vatrave të zjarrit, si edhe policinë e Shtetit për kapjen e zjarrvënësve.

Rama theksoi nevojë që drejtësia t’i japë dënimin e merituar këtyre barbare, me kodin penal që parashikim burg deri në 15 vite.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Paralelisht me këtë, dua të sjell në vëmendje performancën shumë pozitive të Agjencisë së Mbrojtjes Civile në përballimin e situatave të zjarreve dhe në menaxhimin me sukses dhe reduktimin maksimal të dëmeve potenciale të këtyre zjarreve, ashtu sikundër paralelisht dua të sjell në vëmendje performancën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit në kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë së zjarrvënëseve.

Kemi një sukses në këtë drejtim që është shumë domethënës dhe që është shumë shpresëdhënës për reduktimin e këtij fenomeni kaq të rrezikshëm, aq më tepër në kushtet e ndryshimeve klimatike. Ju shikoni çfarë po ndodh në Greqinë fqinje me zjarret, por për këtë, premisa është që gjykatat e vendit të jenë në lartësinë e detyrës së tyre ligjore dhe të japin dënimet e merituara për këta barbarë të verbër që cenojnë një pasuri që është vënë në gjenerata dhe që është e gjeneratave të tjera.

Historia e marrëdhënieve të drejtësisë me zjarrvënësit është një histori shumë e shëmtuar, e turpshme deri në neveri sepse janë rrëqethëse rastet kur gjykata në rrethe të caktuara  as nuk i kanë filluar çështjet fare dhe zjarrvënësit kanë vazhduar të zhvillojnë aktivitetin e tyre barbar të patrazuar nga forca e ligjit, ndërkohë që Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë i amenduar prej nesh parashikon një dënim deri në 15 vjet heqje lirie për zjarrvënësit.

.r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!