Veliaj: E nisim vitin e ri shkollor me 10 shkolla të reja. Prindërit të regjistrojnë fëmijën në shkollën më të afërt, infrastruktura kudo është e re

schedule16:54 - 23 Gusht, 2023

schedule 16:54 - 23 Gusht, 2023

Bashkia e Tiranës po bën përgatitjet e fundit për nisjen e vitit të ri shkollor në muajin shtator. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se pas 50 shkollave të reja të hapura në Tiranë, këtë vit është gati paketa me 10 shkolla të tjera të reja. Ai ftoi prindërit të regjistrojnë fëmijët në godinat e reja arsimore, sipas rregullave të vendosura edhe për kopshtet dhe çerdhet, në mënyrë që të mos ketë mbingarkesë.

“Dua të njoftoj të gjithë qytetarët se po përgatitemi për fillimin e sezonit shkollor. E di që ka pasur një fluks të jashtëzakonshëm në çerdhe e kopshte, ndaj po bëjmë maksimumin të akomodojmë të gjitha kërkesat, sigurisht duke respektuar rregullin që kemi vënë. U kërkoj të gjithë qytetarëve të bashkëpunojnë me njësitë administrative. Koha që ti futesh mik dhe merr një adresë fiktive për të regjistruar fëmijët në një shkollë, që legjenda urbane thotë se është më e mira, nuk ekziston më. Shkollat që kanë qenë më të mira në vitet ’80 e ’90, janë po aq të mira sa edhe shkollat e reja që sapo kemi hapur. Për sa kohë që infrastruktura po bëhet e mirë kudo, për sa kohë që cilësia e arsimit është e mirë kudo, ta respektojmë këtë rregull, që edhe fëmijët të mos torturohen vara-vingo, edhe mësuesit të kenë klasa ku kanë mundësi të shpenzojnë kohë me fëmijët dhe jo klasa nga 40 e 50, sidomos tani që e kemi këtë infrastrukturë shkollore,” deklaroi sot Veliaj.

Ai tha se ashtu si këtë vit po hapen 10 shkolla të reja për fëmijët në kryeqytet do të vijojë puna edhe me të tjera shkolla të planifikuara për t’u ndërtuar nga e para, siç janë shkollat në Astir dhe në zonën e Liqenit të Thatë./abcnews.al