Zelensky merr mbështetjen e Greqisë, do të ndihmojë në stërvitjen e pilotëve

schedule08:41 - 22 Gusht, 2023

schedule 08:41 - 22 Gusht, 2023

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka marrë mbështetjen e Greqisë gjatë takimit informal që u zhvillua të hënën në Athinë, të mbajtur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Në konferencën për shtyp pas takimit, lideri grek shprehu gatishmërinë për të mbështetur Ukrainën dhe dënoi krimet e Rusisë në këtë vend, që nga nisja e luftës. Ai shtoi se Greqia si vend anëtar i NATO do të qëndrojë përkrah qeverisë dhe popullit ukrainas.

Sipas Associated Press, Zelensky falënderoi Greqinë për mbështetjen dhe zbuloi se Athina zyrtare ka rënë dakord të stërvisë pilotët ukrainas për të drejtuar avionët amerikanë F-16.

Dy udhëheqësit nënshkruan edhe një deklaratë të përbashkët për mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin në NATO të Ukrainës, “kur të përmbushen kushtet”.

Presidenti Zelensky mori pjesë gjithashtu në një darkë të shtruar nga Mitsotakis për zyrtarë të lartë të 9 vendeve të Ballkanit, Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen si dhe Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel.

/abcnews.al