Një familje në Petrelë nuk e ka më banesën, pas tërmetit që i goditi në 21 shtator. Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i siguroi se brenda vitit të ri Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit, ka nisur nga puna për të ndërtuar nga e para shtëpinë e tyre të re.
U desh tërmeti që të toknin gotat e rakisë me kryeabshkiakun Erion Veliaj.
7 anëtarët e familjes në Picallë të Petrelës kanë mbetur në qiell të hapur që nga 21 shtatori, por jo për shumë kohë i siguron qytetari i parë i Tiranës.
“Do ta rregullojmë shtëpinë për ty, për nusen, për 4 kalamajtë, për gjyshen. Më vjen mirë që, brenda javës, u bë vlerësimi i dëmit, erdhi firma. Kryeministri ka shprehur një merak shumë të veçantë për ta azhornuar përditë se ku jemi me shtëpitë. Shteti ka qenë në këmbë, sidomos në fillim, për shpëtimin e njerëzve dhe më pas në kohë rekord, për të vlerësuar të gjitha shtëpitë”.
Për Kryebashkiakun Veliaj Petrela është një nga zonat më të prekura nga tërmeti, ku edhe cilësia e ndërtimit të banesave linte shumë për të dëshiruar.
“Shtëpitë e ndërtuara në mënyrë modeste ishin të parat që u goditën. Po ashtu, do të ndërtohen të parat. Sigurisht, do të merremi edhe me ato shtëpi që kanë nevojë për suva e meremetime. Kryesisht janë shtëpitë e fukarenjve, e atyre që i kanë bërë me shumë mund, me mjete rrethanore, me kushte primitive, kështu që do t’u japim atyre rëndësi”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputeti i PS, Xhemal Qefalia, e siguroi familjen Stafa se Viti i Ri do t’i gjejë në një banesë të re. /ABc news Albania 24/7