Bimët narkotike brenda repartit në Zall Herr janë zbuluar nga vetë ushtarakët rreth një muaj para se të zhvillohej operacioni i policisë. Referuar vendimit të zbardhur të Gjykatës që la në burg tre ushtarakët e arrestuar për shpërdorim detyre, njëri prej tyre, Gramoz Mullai, shefi i zbulimit ka treguar se kontrolli i fundit në repart ishte kryer në datat 10 dhe 11 korrik. Sipas tij, në vendin e quajtur “sipër liqeneve”, ata kanë konstatuar disa bimë narkotike. Më tej Mullai ka pohuar se bashkë me dy vartësit, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda, edhe këta të arrestuar për shpërdorim detyre, kishin konstatuar cënim të rrethimit në shumë pjesë të repartit.
Për këtë konstatim, Gramoz Mullai ka pretenduar se ia ka komunikuar me gojë kolonel Petrit Dajlanit, por nuk kishte mbajtur procesverbal për shkeljen e perimetrit.
Operacioni i policisë, ku u gjet paracela me 125 bimë narkotike u zhvillua më 4 gusht.
Tre ushtarakët Gramoz Mullai, Rustem Koçi dhe Gentian Zhurda u arrestuan për shpërdorim detyre. Për ta gjykata caktoi masën arrest në burg. Nëpërmjet avokatëve, ata kanë apeluar vendimin e Shkallës së Parë duke kërkuar masë më të butë sigurie me argumentin se nuk kanë kryer vepër penale dhe nuk e dinë se cilët janë personat përgjegjës që kanë kultivuar kanabisin brenda repartit.
Më herët, gjatë caktimit të masës së sigurisë, ata i thanë gjykatës se nuk kishin mundësi për ta kontrolluar të gjithë sipërfaqen 140 hektarë tokë në repartin ushtarak.
Pas zbulimit të parcelës me kanabis në repartin e Zall Herrit, ministri i Mbrojtjes urdhëroi lirimin nga detyra të 4 ushtarakëve, si dhe propozimin për lirim të 10 të tjerëve./abcnews.al