Rrugët e Svyatohirskut janë pastruar kryesisht nga rrënojat dhe xhamat e copëtuara, por pyjet rreth tij thuhet se janë të dyndur me mina. Hezitimi për rimëkëmbje është për shkak të luftimeve të ashpra në vijën e frontit, që po zhvillohen vetëm 30 kilometra larg, ku forcat ruse janë përpjekur të fitojnë terren pranë qyteteve Liman, në juglindje, dhe Kupiansk, më larg në veri.
Ushtarët ukrainas lëvizin brenda dhe jashtë qytetit, ndonjëherë duke qëndruar për pak kohë për të riparuar automjete ose për të bërë disa pazare. Ndërsa, Svyatohirsku rimëkëmbet gradualisht, ai mbetet thjesht një hije e së kaluarës së tij dhe kjo gjendje mund të vazhdojë për një periudhë të gjatë.
Shumica e banorëve u larguan vitin e kaluar. Ata u zhvendosën në Rusi ose në zona të Ukrainës, që janë nën kontrollin rus.
Këtu përfshihet edhe ish-kryetar i bashkisë, Volodymyr Bandura, i cili ishte i lidhur me partinë pro-ruse të opozitës, e cila tashmë është e ndaluar në Ukrainë– Platforma për Jetën.
Olha Kartashova, koordinatore e qendrës për ndihmë humanitare në Svyatohirsk, i tha Radios Evropa e Lirë se disa banorë “përshëndetën forcat pushtuese ruse, thuajse ato ishin çlirimtare”, por shumë të tjerë thjesht u pajtuan me praninë e tyre, sepse nuk kishin çfarë tjetër të bëjnë.
Kartashova tha se atë dhe vajzën e saj, ushtarët rusë i detyruan të zhvisheshin dhe se dhëndri i saj u trajtua shumë ashpër gjatë marrjes në pyetje. Familja pothuajse çdo natë të pushtimit e kalonte të fshehur në një bodrum.
Shtëpia e tyre u granatua dy herë, herën e parë kur ushtria ruse mori Svyatohirskun, dhe të dytën, kur ukrainasit e rimorën atë. Sipas Rybalkinit, forcat ruse ndjenin rrezik të vazhdueshëm pasi qyteti ishte nën kontrollin ukrainas dhe dronët ukrainas monitoronin vazhdimisht lëvizjet e tyre.
“Ushtarët rusë ndonjëherë kishin veshur rroba civile dhe i fshehën armët nëpër çanta”, tha ai.
Në pamundësi për të forcuar kontrollin, rusët nuk arritën të krijonin një administratë në Svyatohirsk, kështu që banorët e mbetur u lanë në mëshirën e ushtarëve dhe duhej të mbështeteshin tek ata për ushqim dhe gjëra të tjera esenciale.
/abcnews.al