Teksa gjithçka po shkonte pranë fundit dhe gjatë kësaj jave pritej të vinte dhe zytarimi i talentit serb të mesfushës së Udinese, Lazar Samardzic, te “zikaltërit” e Inter, me këta të fundit që për kartonin e Samardzic, do të japin 15 milionë euro, si dhe shërbimet e “fantazistit” të Inter, Giovanni Fabbian, me këtë të fundit që do të ketë një klauzolë të veçantë në kontratë për blerjen e tij.
Përsa i përket kontratës personale, Samardzic do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare, e cila pritet të skadojë në verën e vitit 2028, ndërsa për pagën e lojtarit te “zikaltërit” nuk është zbuluar ende ndonjë detajt.
Mirëpo, këtë të premte ka dalë në skenë një detaj i ri, i cili mund të “hedhë në erë” marrëveshjen e arritur më parë, pasi në vizitën e sotme në klub, babai i lojtarit, i cili është dhe menaxheri i tij ka “devijuar” nga akordi i gjetur mes Inter dhe futbollistit, teksa kishte pretendime të tjera ekonomike.
Në këtë situatë, bordi “zikaltër” ka ndërprerë menjëherë bisedimet dhe i ka dhënë dy ditë kohë, për të pranuar marrëveshjen e arritur pak ditë më parë, apo për të anuluar plotësisht transferimin e serbit në “Meazza”. /i.m /abcnews.al