Pavarësisht paralajmërimeve për protesta, qeveria e Britanisë së Madhe ka zhvendosur një grup të vogël të azilkërkuesve në anijen e madhe rezidenciale në jug të vendit, Bibby Stokholm. Mjeti lundrues ka kapacitet për të strehuar 500 burra.
Zyra e Brendshme tha se burrat e moshës 18-65 vjeç, nga vende të ndryshme, mund të kalojnë nëntë muaj në bordin e anijes, e cila më parë është përdorur për të akomoduar të pastrehët dhe azilkërkuesit në Gjermani dhe Holandë.
Emigrantët do të jenë të lirë të nisen me autobusë çdo orë për në Ueimauth dhe Portland, megjithëse inkurajohen të kthehen çdo natë në orën 23:00. Ky vendim vjen si pjesë e planeve të qeverisë për të përdorur alternativa më të lira se sa hotelet për strehimin e përkohshëmtë emigrantëve, ndërsa kërkesat për azil janë duke u shqyrtuar.
Konservatorët pretendojnë se aktualisht janë më shumë se 50 mijë që jetojnë në hotele.
Planet për të përdorur anije rezidenciale dhe objekte ushtarake të pashfrytëzuara janë kundërshtuar nga komunitetet lokale, pasi sipas tyre rrezikohen të drejtat e azilkërkuesve.
Disa grupe të të drejtave të njeriut kanë thënë se strehimi i njerëzve në bordin e anijes ishte “çnjerëzor”. Por qeveria e udhëhequr nga Rishi Sunak insiston se anija është e sigurt dhe do të jetë më e lirë se përdorimi i hoteleve./abcnews.al